Kampionati Europian i Volejbollit për meshkuj 2021 është futur në fazën e tij më interesante. Janë përcaktuar 4 skuadrat më të mira të turneut, që do të luftojnë me njëra-tjetrën për të fituar titullin e lakmuar.
Serbi-Itali është ndeshja gjysmëfinale që do të luhet në orën 21.00 dhe do të transmetohet Live në kanalet Oversport.
Italia dhe Serbia konsideroheshin si favorite për të fituar medaljen e Arit në këtë edicion të turneut, por tashmë vetëm një nga këto dy formacione do të mund të mbajë gjallë ëndrrën për të fituar Kampionatin Europian.
Italia, 6-herë kampione e Europës, ka shkëlqyer në këtë kompeticion, duke koleksionuar 7 fitore në po aq takime të luajtura. Pretendimet në fillim të eventit nuk ishin shumë të mëdha, sepse po bëhet një rinovim i skuadrës, por forma e treguar deri tani ka mbushur me optimizëm kampin “axurr”.
Serbia, kampionia në fuqi e Europës, i ka besuar një grupi më veteran lojtarësh, me të cilët synon trofeun e dytë radhazi në kontinent. Serbët u mundën nga Polonia në ndeshjet e grupeve dhe rrezikuan seriozisht eliminimin nga Turqia në 1/8 e finales, por u rikthyen në formën më të mirë në çerekfinalen kundër Holandës.
Ndeshja kundër Italisë do të jetë e veçantë për një nga veteranët e skuadrës serbe: 34-vjeçari Marko Podrascanin do të luajë ndeshjen e 55-të në finalet e një Kampionati Europian, duke vendosur kështu një rekord për vendin e tij. /Oversport.tv