Duket se aventurës së Ronald Koemanit në krye të pankinës së Barcelonës po i vjen fundit. Rezultatet e dobëta të këtij fillim sezoni, që vazhduan edhe mbrëmë në barazimin pa gola kundër Cadiz, mund t’i kushtojnë vendin e punës teknikut holandez, që pritet të shkarkohet nga drejtuesit e klubit blaugrana.
Koeman, që mori edhe karton të kuq në fund të ndeshjes së djeshme, është sulmuar indirekt nga Sergi Roberto, lojtar veteran i Barcelonës, që në takimin e djeshëm luajti në pjesën e dytë.
Pyetjes së gazetarëve se Barcelona këtë sezon ka si objektiv sigurimin e një vendi në zonën Champions (sipas asaj që ka deklaruar Koeman), Sergi Roberto iu përgjigj prerazi:
“Këtu duhet të fitosh kampionatin. Mua nuk më mjafton që të renditem mes 4 skuadrave të para të LaLigas. Jemi Barcelona dhe nuk ka vend për justifikime.
Duhet të japim maksimumin dhe kemi një skuadër në gjendje për t’u shpallur kampione e Spanjës”-ka thënë mesfushori pas ndeshjes së barazuar kundër Cadizit. / Oversport.tv