Serie A katër ditë në Oversport: E hapin Milani e Interi, spikat Lazio-Napoli

Serie A në Oversport rikthehet që të premten. Derbi i Kupës së Italisë, i programuar në mesjavë, i zbret në fushë Milanin dhe Interin para skuadrave të tjera. Java e 27-të nis me përballjen e kuqezinjve në shtëpi, kundër Udinese.

Në mbrëmje, nga ora 21:00, është radha e kampionëve në fuqi të Italisë, Interit. Zikaltrit luajnë në transfertë dhe përballë kanë Genoa, që në katër ndeshjet e fundit ka barazuar. Për ekipin e Inzaghit fitorja është opsioni i vetëm.

E shtuna sjell tre ndeshje të tjera, në orare të ndryshme. Salernitana luan në orën 15:00 dhe pret në shtëpi ekipin e Bologna, kurse në 18:00 Empoli i Ismajlit, Bajramit dhe Asllanit synon të fitojë sërish ndaj Juventusit, sikurse bëri në Torino fazën e parë.

Në mbrëmje, 20:45, Sassuolo-Fiorentina është dueli tjetër në program. E diela nis nga mesdita, me Torino-Cagliari nga ora 12:30. Verona-Venezia dhe Spezia Roma janë dy takimet e tjera, kurse në mbrëmje spikat Lazio-Napoli, një duel që pritet të jetë shumë i luftuar.

Java mbyllet të hënën, me Atalantën që po kërkon rikthimin te rezultatet pozitive. Skuadra e Gian Piero Gasperinit zbret në fushë në orën 20:45, ndaj një Sampdoria ndryshe që kërkon çdo pikë për të mos rrezikuar rënien nga Serie A. / oversport.tv