Serie A në Oversport dhe Tibo: 3 sfida interesante luhen këtë të shtunë

Serie A rikthehet këtë të shtunë në ekranin e Oversport dhe Tibo për të zhvilluar ndeshjet e javës së 19-të. Tre takime të kësaj jave do të mund ti ndiqni live në kanalet Oversport.

E shtuna nis me përballjen Verona-Lecce, që do të luhet në orën 15:00. Vendasit kanë nevojë jetike për pikë, që të mbajnë gjallë shpresat për mbijetesë, prandaj do të bëjnë maksimumin, që të marrin fitoren në sfidën e sotme në “Bentegodi”. Miqtë kanë 6 javë që nuk njohin humbje në kampionat dhe sot synojnë një tjetër rezultat pozitiv.

Në orën 18:00 në “Arechi”, Salernitana do të sfidojë kryesuesit e Napolit. Vendasit kanë rikthyer në detyrë teknikun Nicola, që shkarkua pas humbjes së thellë përballë Atalantës. Salernitana kërkon kthesën, duke synuar një rezultat pozitiv përballë kryesuesve të Napolit. Të frymëzuar nga fitorja e madhe përballë Juventusit, djemtë e Spallettit synojnë fitoren e radhës në kampionat, që të konsolidojnë kreun e renditjes dhe ti afrohen akoma më shumë titullit kaq shumë të dëshiruar.

Në mbrëmje do të luhet takimi Fiorentina-Torino. Vendasit kërkojnë suksesin që të mos humbasin shpresat për një vend në Europë, ndërsa miqtë në krizë rezultatesh (4 javë pa fitore) synojnë kthesën e madhe në transfertën e sotme në Firence. / Oversport.tv