Serie A në Oversport dhe Tibo/ Dy sfida interesante ulin siparin e javës së 17-të

Eventet në Oversport dhe Tibo, nuk kanë të ndalur ku sot do të vijnë dy sfida mjaft interesante të Serie A. Verona-Cremonese dhe Bologna-Atalanta do të jenë dy sfidat që do të ulin siparin e javës së 17-të të elitës së futbollit italian.

Verona-Cremonese do të startojë në orën 18:30 me dy ekipe që kërkojnë me ngulm fitoren. Do të jetë një duel midis dy vendeve të fundit, ku të dyja kërkojnë të mbajnë gjallë shpresën për mbijetesë. Cremonese ende nuk e ka arritur fitoren e parë në këtë edicion të Serie A dhe përballë një rivali direkt do të provojë gjithçka. Nga ana tjetër, Verona tashmë nën drejtimin e Zaffaronit kërkon të ndryshojë marsh dhe një fitore ndaj Cremoneses do të jepte më shumë besim në skuadër.

Sfida tjetër midis Bolognës dhe Atalantës do të startojë në orën 20:45. Atalanta vjen nga një moment aspak i mirë, pasi numri i ndeshjeve radhazi pa fitore ka shkuar në katër. Të besuarit e Gasperinit janë duke kaluar një situatë shqetësuese dhe ndaj Bolognas kërkojnë të reagojnë.

Nga ana tjetër, Bologna e cila ka tre fitore në 5 ndeshjet e fundit, kërkon të përfitojë nga momenti jo i mirë i Atalantës për të rrëmbyer një tjetër fitore të rëndësishme. /oversport.tv

Foto: Serie A, Facebook