Java e 18-të e Serie A ka folur për Napolin, që ka “shkatërruar” Juventusin në përballen direkte në “Maradona” (fitoi 5-1) dhe ka konsoliduar pozitat në krye të renditjes, duke u shkëputur 9 pikë nga ndjekësi më i afërt, duke hedhur një hap të madh drejt titullit kampion.
Zhgënjejnë bardhezinjtë, që ndalen pas 8 fitoreve radhazi në kampionat. Zhgënjen edhe Milani që nuk arrin të marrë më shumë se një pikë në transfertë përballë Lecces. Interi mposht minimalisht Veronën dhe ngjitet në kuotën e 37 pikëve (aq sa Juventusi), një më pak se rivalët e Milanit.
Shumë e bukur bëhet lufta për zonën europiane. Fitojnë ndeshjet respektive Roma, Lazio dhe Atalanta (me një goleadë 8-2 përballë Salernitanës) dhe të tre skuadrat ngjiten në kuotën e 34 pikëve në tabelën e klasifikimit.
Monza, Bologna dhe Spezia marrin fitore të rëndësishme në transfertë dhe ngjiten në renditje. Empoli fiton mes polemikash në ndeshjen e fundit të javës dhe komplikon pozitat e Sampdorias në klasifikim.
Cremonese, Sampdoria dhe Verona (tre vendet e fundit, që zbresin një kategori më poshtë) e shohin vetën në një situatë të vështirë, pasi shohin rivalët në luftën për mbijetesë që tu largohen (Sassuolo me 16 pikë është kundërshtari më i afërt në renditje).
Kjo javë u ka kushtuar vendin e punës dy teknikëve: Cremonese shkarkon Alvinin, ndërsa Salernitana mbyll bashkëpunimin me Nicolan pas humbjes së thellë në Bergamo. / Oversport.tv