Serie A në Oversport: Katër sfida këtë të shtunë, shumë shqiptarë në fushë

Rikthehet Serie A në Oversport, me katër ndeshje që do të luhen ditën e sotme në kuadër të javës së parafundit. Dita do të startojë me sfidën Empoli-Salernitana në orën 15:00 ku pritet të zbresin në fushë nga minuta e parë edhe dy shqiptarët Bajrami e Asllani.

Salernitana kërkon të fitojë me çdo kusht për t’iu afruar më shumë mrekullisë së mbijetesës, ndërsa pak javë më parë ndodhej në vendin e fundit të Serie A. Përballë do të ketë Empolin që prej kohësh nuk po kalon një formë të mirë dhe për më tepër e ka arritur objektivin që i kishte vendosur vetes për mbijetesën.

Formacionet e mundshme

Dy sfida të tjera do të startojnë në orën 18:00 kur pritet të zbresin në fushën e lojës të tjerë shqiptarë. Kështu, Spezia e Rey Manaj do të përballet në transfertë me Udinesen. Të dyja ekipet i kanë arritur objektivat e tyre, por megjithatë, kërkojnë fitore në këtë sfidë. Rey Manaj sakaq pritet ta nisë nga minuta e parë.

Formacionet e mundshme

Sfida tjetër e orës 18:00 do të jetë ajo midis Veronas dhe Torinos. Do të jetë rikthimi i Ivan Juric në Verona, ndërsa përballë do të ketë një nga ekipet më në formë të drejtuar nga Igor Tudor.

Edhe në këtë sfidë pritet të luajnë dy shqiptarë të tjerë me Etrit Berishën që do të mbrojë portën e Torinos, së bashku me Mërgim Vojvodën që do të mbulojë krahun e majtë të “Granadës”.

Formacionet e mundshme

Ndërkohë që dita do të mbyllet me përballjen që Roma do të ketë me Venezian duke startuar nga ora 20:45. Të besuarit e Mourinhos janë të detyruar të fitojnë nëse dëshirojnë të sigurojnë një vend në kupat europiane për sezonin e ardhshëm. Përballë do të kenë ekipin e vendit të fundit që pothuajse i ka humbur shpresat për të qëndruar në elitën e futbollit italian.

Edhe në këtë sfidë pritet ta nisë nga minuta e parë një tjetër shqiptar. Marash Kumbulla do të rreshtohet në mbrojtjen me tre të Romës, së bashku me Smalling e Ibanez.

Formacionet e mundshme

/oversport.tv