Serie A në Oversport: Lazio kërkon të dalë nga kriza, luhet edhe Torino-Empoli

Do të luhen sot dy sfidat e fundit të javës së 15-të kampionatit italian, që si gjithmonë do të transmetohen live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo.

Në orën 18:30 Torino do të presë në stadiumin “Olimpico Grande” Empolin e Bajramit. Vendasit kanë fituar 3 takimet e fundit që kanë luajtur në shtëpi dhe sot kërkojnë të shfrytëzojnë në maksimum faktorin fushë që të marrin një tjetër sukses, që të ngjiten akoma më lart në renditje.

Torino ka probleme me mungesat, pasi në ndeshjen e sotme do të mungojnë Belotti, Djidji, Mandragora, Ansaldi, Rodriguez dhe Verdi. Gjithsesi në dispozicion të teknikut Juric rikthehet Sanabria.

Miqtë kanë fituar derbin kundër Fiorentinës në fundjavë dhe synojnë një tjetër rezultat pozitiv në transfertën e sotme në Torino. Djemtë e Andreazzolit po zhvillojnë një sezon shumë të mirë dhe synojnë që të ruajnë pozitat e tyre në tabelën e klasifikimit, duke kërkuar pikë në sfidën e sotme.

Në orën 20:45 në “Olimpico” të Romës do të luhet sfida Lazio-Udinese, që do të mbyllë javën e 15-të të Serie A. Bardhekaltërit kanë pësuar 2 humbje në 2 ndeshjet e fundit në kampionat dhe si rrjedhojë kanë zbritur në vendin e 9-të në tabelën e klasifikimit. Kryeqytetasit kërkojnë që të lënë pas këtë moment të vështirë, duke synuar kthesën në sfidën e sotme kundër Udineses.

Luiz Felipe do të mungojë në ndeshjen e sotme, ndërsa Marusic, që sapo ka kaluar Covidin nuk dihet nëse do të luajë nga minuta e parë apo jo. Sarri mund të bëjë pak rotacion në sfidën e sotme kundër Udineses. Miqtë nuk kanë shkëlqyer këtë sezon dhe vijnë në Romë në kërkim të një rezultati pozitiv. Pereyra është mungesa e vetme e Udineses në këtë takim.

Të dyja këto sfida mund ti ndiqni në Oversport dhe në Tibo.


Lazio (4-3-3): Reina, Lazzari, Patric, Acerbi, Hysaj; Milinkovic, Cataldi, Luis Alberto; Zaccagni, Immobile, Pedro.

Udinese (3-5-1-1): Silvestri; Becao, Nuytinck, Samir; Molina, Arslan, Walace, Makengo, Udogie; Beto; Deulofeu.