Serie A në Oversport! Roma-Milan, kryendeshja e kësaj jave, luhet edhe Atalanta-Lazio

Do të luhet në fundjavë java e 11-të e Serie A, që si gjithmonë do të transmetohet Live dhe ekskluzivisht në Oversport. Kjo javë do të jetë e ndarë në 3 ditë dhe kulmon me superndeshjen Roma-Milan që do të luhet të dielën në mbrëmje.

E shtuna sjell në ekranin e Oversport 3 takime shumë interesante. Java e 11-të nis me një sfidë të rëndësishme, pasi në Bergamo do të luajë Atalanta kundër Lazios, dy skuadra që pretendojnë një vend në Champions League.

Në orën 18:00 është radha e Juventusit për të zbritur në fushën e blertë, bardhezinjtë luajnë në transfertë përballë Veronës, ndërsa në mbrëmje luhet sfida Torino-Sampdoria.

E diela nis me sfidën Inter-Udinese, ndërsa në orën 15:00 do të luhen tre takime: Fiorentina-Spezia, Genoa-Venezia dhe Sassuolo-Empoli.

Kryesuesit e Napolit do të luajnë në transfertë kundër Salernitanës në orën 18:00, ndërsa në mbrëmje luhet në “Olimpico” kryendeshja e kësaj jave, përballja Roma-Milan.

Java e 11-të e kampionatit italian do të mbyllet të hënën në mbrëmje, pasi në orën 20:45 Bologna do të presë në “Dall’Ara” Cagliarin në sfidën e fundit të kësaj jave të Serie A.