Serie A në Oversport! Roma-Milan ndeshja e ditës, luajnë edhe Interi dhe Napoli

6 sfida të kampionatit italian do të transmetohen sot në kanalet Oversport. E diela e Serie A nis me sfidën Inter-Udinese në orën 12:30. Kampionët në fuqi të Italisë kërkojnë suksesin e radhës në kampionat, që t’i afrohen kreut të renditjes.

Në orën 15:00 do të luhen tre takime të javës së 11-të të kampionatit italian. Fiorentina do të presë në shtëpi Spezian, Genoa do të luajë kundër Venezias, ndërsa Sassuolo pas fitores së bujshme në Torino përballë Juventusit, do të presë në fushën e saj Empolin.

Në orën 18:00 është radha e kryesuesve të Napolit për të zbritur në fushën e blertë. Të besuarit e Spallettit kërkojnë trepikëshin e radhës në kampionat në transfertën kundër Salernitanës.

Në mbrëmje, në orën 20:45 do të luhet të “Olimpico” kryendeshja e kësaj jave të Serie A, sfida Roma-Milan. Verdhekuqtë e Mourinhos kërkojnë të shfrytëzojnë në maksimum faktorin fushë, që të ndalin kryesuesit e Milanit. Tekniku portugez e ka tashmë të përcaktuar formacionin e tij titullar dhe nuk pritet që të bëjë ndryshime përballë kuqezinjve.

Milani ka nisur në mënyrë të shkëlqyer sezonin dhe me meritë qëndron në krye të renditjes (në kuotë të barabartë pikësh me Napolin). Të besuarit e Piolit kanë filluar të besojnë tek titulli kampion dhe në transfertën e sotme në kryeqytet kërkojnë një tjetër rezultat pozitiv që të konsolidojnë pozitat e tyre në majë të renditjes së Serie A.

Brahim Diaz rikthehet në dispozicion të Piolit, ndërsa Ibrahimovic pritet që të nisë që nga minuta e parë sfidën kundër Romës. Maignan, Florenzi, Ballo-Tourè, Messias, Rebic dhe Castillejo do të mungojnë në kryeqytet.

Formacionet e mundshme:

Roma  (4-2-3-1): Rui Patricio; Karsdorp, Mancini, Ibanez, Vina; Cristante, Veretout; Zaniolo, Pellegrini, Mkhitaryan; Abraham.

Milan (4-2-3-1): Tatarusanu; Calabria, Kjaer, Tomori, Hernandez; Tonali, Bennacer; Saelemaekers, Diaz, Leao; Ibrahimovic