Serie A rikthehet në ekranin e Oversport dhe Tibo këtë fundjavë për të zhvilluar ndeshjet e javës së 27-të. Kalendari ka rezervuar supersfida këtë fundjavë në kampionatin italian, ku padyshim spikasin 2 duelet e së dielës: derbi i Romës dhe derbi i Italisë.
Java e 27-të e Serie A do të jetë e ndarë në tre ditë. Të premten do të luhen takimet Sassuolo-Spezia dhe Atalanta-Empoli. Të shtunën do të luhen tre sfida të tjera: Monza do të presë në shtëpi Cremonesen, Salernitana do të sfidojë Bolognan, ndërsa në mbrëmje kuqezinjtë e Milanit do të luajnë në transfertë kundër Udineses.
E diela do të sjellë 2 përballje spektakolare në Oversport dhe Tibo. Në orën 18:00 në “Olimpico” do të luhet derbi i kryeqytetit përballja Lazio-Roma. Rivaliteti mes dy skuadrave nuk ka nevojë për koment, por këtë radhë derbi merr një vlerë të veçantë pasi është një përballje direkte për një vend në zonën Champions.
Sapo të përfundojë derbi i Romës do të startojë një tjetër derbi, ai i Italisë. Interi dhe Juventusi do të masin forcat në një sfidë që garanton spektakël. Më herët në fushë do të zbresin kryesuesit e Napolit, që i pret një transfertë e vështirë në Torino si dhe takimet Sampdoria-Verona dhe Fiorentina-Lecce. Të gjitha këto takime mund ti ndiqni live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo. / Oversport.tv