Serie A “zbarkon” në Oversport, spikasin Fiorentina-Napoli dhe Atalanta-Milan

E diela e 3 tetorit do të sjellë shumë ndeshje dhe shumë emocione të Serie A për shikuesit e kanaleve Oversport dhe platformës Tibo. Dy skuadrat e Romës do të zbresin në fushë në ndeshjet respektive, kryesuesit e Napolit i pret një transfertë e vështirë në Firenze, ndërsa mbrëmja rezervon sfidën Atalanta-Milan.

Dita do të nisë me takimin Bologna-Lazio në orën 12:30, që do të transmetohet në kanalin Oversport 1. Bardhekaltërit e Sarrit synojnë një tjetër fitore, që t’i afrohen akoma më shumë kreut të renditjes.

Verona-Spezia dhe Sampdoria-Udinese janë dy takimet e orës 15:00, që do të transmetohen respektivisht në kanalet Oversport 1 dhe Oversport 2.

Në orën 18:00 zbresin në fushë kryesuesit e Napolit, që kërkojnë fitoren e radhës përballë Fiorentinës vendase, ndërsa Roma e Mourinhos do të presë në “Olimpico” Empolin e shqiptarëve. Këto dy takime mund ti ndiqni respektivisht në kanalet Oversport 1 dhe Oversport 2.

Ndeshja më e rëndësishme e ditës do të luhet në mbrëmje në stadiumin “Gewiss”, aty ku Atalanta dhe Milani do të masin forcat, në një sfidë që ka vlera të mëdha për të dyja skuadrat. Djemtë e Gasperinit kërkojnë të futen në zonën Champions, ndërsa kuqezinjtë e Piolit kërkojnë të vazhdojnë serinë e rezultateve pozitive edhe përballë një rivali të fortë si Atalanta. / Oversport.tv