Sfidë e çmendur mes Flamurtarit dhe Apolonisë, por në finalen e “Play Off”-it shkojnë vlonjatët

Flamurtari kualifikohet në finalen e “Play Off” dhe vazhdon të shpresojë ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar pasi barazoi në shifrat 1-1 në një ndeshje të çmendur ndaj Apolonisë. Kujtojmë që me barazim Flamurtari kalon më tej pasi është renditur më lartë se Apolonia në sezonin e rregullt.

Ndeshja nis mirë për Falmurtarin që rrezikon fillimisht me Ribaj, por Harizaj bën një pritje të mirë. Tenton nga distanca edhe Beqja, por në të dyja mundësitë nuk shënjestron si duhet kuadratin. Nga ana tjetër Apolonia provon të kapë në befasi skuadrën vlonjate, por nuk ia del. Kur pritet që të mbyllet pjesa e parë në barazim pa gola, Flamurtari kalon në avantazh më Pedro Augusto.

Ky i fundit godet me të majtën dhe mposht portierin kundërshtar duke realizuar një gol shumë të bukur. Në pjesën e dytë, sfida bëhet edhe më shumë interesante.

Pedro Augusto ka një mundësi të artë për të dyfishuar shifrat, por shumë pranë portës me kokë nuk e devijon topin në rrjetë. Në Ndërkohë që në minutën e 63-të, është Apolonia që vendos baraspeshën me Antony.

Sfida ndizet edhe më shumë kur gjyqtari akordon një 11-metërsh për Flamurtarin. Pedro Augusto ka një tjetër mundësi për të realizuar, por godet jashtë.

Shans i artë në fundin e takimit edhe për Apoloninë që ka mundësinë të kaloj në avantazh pasi fiton një 11-metërsh. Megjithatë, portieri Kuka që edhe vetë e shkaktoi penalltinë, arrin të presë goditjen e Asllanaj. Në fund rezultati nuk ndryshon dhe Flamurtari kualifikohet në finalen e “Play Off”-it ku e pret Korabi që mposhti Tomorin. /oversport.tv