Sfidë mungesash në “Kukës Arena”, në lojë objektivat sezonalë

Kukësi pret Partizanin në një ndeshje delikate, për vetë pozitat në klasifikim. Prej kohësh, skuadra e drejtuar nga Hallaçi jep tregues të mirë në lojë dhe ka krijuar fizionomi në ndërtimin e aksioneve apo manovrat në ndeshje, mirëpo, renditja shtrëngon dhe kërkohen rezultate.

Tre fitore në pesë ndeshjet e fundit, janë një shenjë e mirë dhe tregues motivimi për të besuarit e Hallaçit që rikthehen të luajnë në shtëpi. Në fazën e parë, Kukësi doli i mundur në shtëpi nga Partizani, ndaj këtë herë, klubi ka bërë edhe thirrje kundrejt tifozëve për të qenë sa më të shumtë në mbështetje.

Jo pak shqetësim për Hallaçin janë shqetësimet fizike që kanë pasur gjatë javës si Xhonson edhe Ilieski. Megjithatë, është koha për të shfrytëzuar fushën dhe Kukësi të garantojë sa më shumë pikë në shtëpinë e re.

Përballë do të jetë Partizani, që gjithashtu vjen me mungesa të rëndësishme në këtë sfidë. Hadroji dhe Sota, nuk do të jenë në dispozicion për trajnerin. Gjithsesi, në këtë fazë të kampionatit, edhe superimi i mungesave prej dëmtimeve apo kartonëve, është tregues force dhe maturie për ekipet që kanë pretendime madhore.

Java përpara Derbit, megjithëse do të ketë në mes edhe aktin e parë të Kupës për fazën çerekfinale, do të jetë shumë e rëndësishme për të kuqtë për të mos shkuar në sfidën me bardheblutë me një diferencë akoma më të madhe sesa tre pikë. Gjashtë pikë ndaj Bylisit dhe Erzenit, kanë qetësuar gjithçka në kampin e kuq dhe optimizmi bën që të jenë mëse të motivuar për të superuar edhe përballjen me Kukësin në transfertë. Për të dy ekipet, në këtë fazë të kampionatit, kjo po0r edhe çdo përballje tjetër vlen shumë. Vlen gati… objektivat e sezonit. / Oversport.tv