Shaqiri: Kini kujdes nga Ronaldo, ai është akoma në nivele të larta

Në mbrëmjen e së martës Zvicrën e Xhakës dhe Shaqirit i pret një sfidë e rëndësishme. Helvetët do të kenë përballë Portugalinë në një përballje që do të vendosë kush do të prekë çerek finalet e Katar 2022. Xherdan Shaqiri paralajmëron të gjithë të kenë kujdes nga Cristiano Ronaldo.

“Kini kujdes kur e konsideroni Ronaldon të mbaruar. Për mua ai mbetet akoma në një nivel me Messin, një nga futbollistët më të mirë në botë. Cristiano mund të shënojë në çdo sekondë, në çdo minutë. Me përvojën e tij ai vazhdon të jetë thelbësor për ekipin e Portugalisë.” – tha 31-vjeçari.

“Ne do të duhet të japim më të mirën tonë për t’i mposhtur ata. Vendi ynë nuk ka talente si Ronaldo, grupi i vetëm që mund të bëjë diferencën momentalisht është ky. Ne kemi nevojë për një performancë të shkëlqyer kolektive. Jemi në Kupën e Botës dhe gjithçka mund të ndodhë.” – përfundoi Xherdan Shaqiri. /oversport.tv

Foto: Nati, Twitter