Shehi: Derbi duel me impakt, të kontrollojmë emocionet! E di si fitohet

Tirana përballet me Partizanin nesër në mbrëmje, prej orës 19:45, dhe si zakonisht një ditë para ndeshjes ka dalë para mediave trajneri Orges Shehi. Durrsaku fillimisht deklaroi: “Dihet rëndësia që ka derbi. Është një ndeshje që ka impakt tek të gjithë, sidomos te tifozëria dhe te lojtarët. Është një ndeshje e rëndësishme, por që vlen tre pikë dhe jemi vetëm në fillim të kampionatit. Skuadra është e plotë, kemi rikuperuar lojtarët që nuk ishin javën tjetër. Jemi të plotë para derbit”.

“Dihet rëndësia e tifozëve për skuadrën tonë. Jo vetëm në këtë ndeshje, por edhe në të tjerat kanë qenë të shumtë dhe i falënderoj. Jam i sigurt që nesër do të jenë mbështetësit tanë dhe do të bëjmë maksimumin për t’i kënaqur ata me një rezultat pozitiv”.

“Që të flas për mënyrën si do luaj dhe skemat taktike është herët. Duhet pritur ndeshja dhe rreshtimi i skuadrave në fushë”.

“Nuk ka sfida personale, ka sfida kolektive. Luajnë dy skuadra që i japin tonin kampionatit tonë, dy skuadra me rivalitet dhe histori. Statistikat jeni ju që i mbani. Ne do mundohemi të fitojmë dhe vetëm për këtë do të futemi në fushë”.

“Nuk mendoj se ka rëndësi klasifikimi në derbi, këtu zerohet gjithçka dhe nis një ndeshje si të jetë java e parë e kampionatit, pa pasur fare rëndësi pozicioni në klasifikim”.

“Dita e parë e përgatitjeve për derbin ka qenë entuziaste, pasi vinim nga një periudhë e vështirë. Kishim marrë një fitore të rëndësishme ndaj kampionëve në fuqi dhe ajo duhet të jetë pikënisja jonë për të gjithë rrugëtimin tonë.

Lojtarëve u kam thënë se duhet të jemi të qetë, të mundohemi të kontrollojmë emocionet. Në sfida të tilla emocionet të dëmtojnë. Kam marrë përgjigje nga skuadra në stërvitje, janë të motivuar dhe të përqendruar pavarësisht kë rival kanë përpara”.

“E thashë që nuk janë sfida personale dhe skuadrat nuk përbëhen nga individë. Partizani është një skuadër që ka lojtarë kualitativ, por jam më shumë i fokusuar te skuadra ime dhe shpresoj të bëjmë mirë punën tonë. Nëse bëjmë mirë atë që jemi në gjendje të bëjmë, besoj se do të dalim fitimtarë nga ndeshja e nesërme”. / oversport.tv