Shehi: Derbin e vendosin episodet, pësuam gola të evitueshëm! Na penalizon mungesa e Abazajt

Trajneri i Tiranës, Orges Shehi ka folur për Oversport pas disfatës 2-0 në derbin kundër Partizanit.

“Dihet që në derbi situata të tilla janë të pranishme, ndonëse ne nuk duam që të ndërpritet loja efektive. Mendoj që pësuam një gol të evitueshëm, flas për golin e parë, por futbolli është një lojë gabimesh. Ndërsa goli i dytë është një aksident që mund tu ndodhë të gjithëve. Kërkonim të bënim më mirë, por kundërshtari u mbyll mbrapa dhe u mbrojt mirë.

Mund ta kishim zgjidhur më mirë, duke luajtur nga krahët, por nuk arritëm që ta bënim shumë mirë. Derbin e vendosin episodet dhe skuadra që i zgjidh më mirë fiton ndeshjen. Kemi luajtur edhe herë tjetër me këtë skemë, na penalizon mungesa e Abazajt.

Mendova që të shtynim nga krahët, por nuk mendoj se ndikon skema. Ngaqë nuk kemi 2 sulmues të mirëfilltë, nuk mund të luajmë lojën në ajër. Por mundohemi që të jemi gjithmonë në kontakt me topin, duke luajtur poshtë”, ka thënë Shehi. / Oversport.tv