Shehi: Falë avantazhit të ndeshjes së parë, aktivizuam shumë djem të rinj! Abazaj ka nevojë për minuta loje

Trajneri i Tiranës, Orges Shehi ka folur për Oversport pas kualifikimit në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë.

“U aktizuan shumë të rinj? Vinim pas një ndeshjeje të parë me rezultat të mirë dhe kjo na dha mundësi që të linim pushim disa lojtarë titullarë për ndeshjen e radhës në kampionat. pas rezultatit 2-0 hodhëm në fushë 4 djem të rinj të akademisë, që premtojnë, ata janë e ardhmja e skuadrës, por kanë nevojë akoma për punë. Hodhëm në fushë edhe Abazajn, që të marrë sa më shumë minuta loje.

Është e vërtetë që pas ikjes së Ismajgecit në atë pozicion kemi vetëm Përgjonin. Improvizuam Ibsenin, që është qendërmbrojtës që luan me të majtën. Po bën mirë, është një lojtar që e vlerësoj shumë. stërvitet gjithmonë në maksimum, ka një karakter të mirë sportiv dhe është i rëndësishëm. Është alternativë për krahun e majtë dhe shpresoj që të përmirësohet akoma më shumë në atë pozicion, ndonëse sot luajti për herë të parë në të majtë.

Përgjoni dhe Aleksi? Të dy lojtarët kanë patur probleme fizike, sot kanë dalë në stërvitje dhe nuk ishin në organikë për këtë takim. Shpresojmë që të jenë të gatshëm për në fundjavë. Rezultati i ndeshjes së parë na dha mundësi, që të rikuperojmë disa lojtarë.

Abazaj? Vjen pas dëmtimit. Në stërvitje pak ditë është stërvitur plotësisht me grupin. Edhe ndaj Laçit rrezikuam pak, por duhet që ti japim minuta dhe shpresoj që pas pauzës së kombëtares të jetë sa më i plotë. Ana fizike kapet, por minutat e lojës janë të rëndësishme për të kapur formën optimale”, ka thënë Shehi. / Oversport.tv