Shehi: Fitore karakteri, djemtë treguan se kanë shpirt kampioni! Mesfusha, zemra e Tiranës

Trajneri i Tiranës, Orges Shehi ka folur për Oversport pas fitores përballë Egnatias.

“Një fitore e rëndësishme përballë një kundërshtari cilësor. Sidomos për mënyrën si erdhi fitorja, pas dëmtimit të Bekajt në minutat e fundit të takimit. një sukses me vlera përballë një ekipi të fortë dhe pa portier për disa minutat.

Ndryshimet në skemë? Ndryshuam modul dhe kemi punuar me këtë skemë këto tre ditë, sepse mendoja që ky mund të ishte modul fitues edhe për shkak të kundërshtarit edhe për shkak të mungesave. Ishte një skemë e punuar fort për 3-4 ditë që lojtarët ta ngulisnin mirë në kokë.

Vendimtare mesfusha sot? Mendoj që të tre mesfushorët tanë po bëjnë shumë mirë, janë ata zemra e skuadrës dhe po na e bëjnë punën më të lehtë. Ne menduam që të loznim 1 kundër 1 ndaj kundërshtarit, duke besuar në cilësitë tona. Është një fitore që na jep besim, edhe pse vuajtëm. Kjo tregon karakter dhe këta djem po tregojnë që kanë shpirt kampioni.

Haxhiu? Ka vetëm pak ditë që ka ardhur te ne. Bën shumë mirë në krah dhe mendoj që do të përshtatet akoma më shumë me ne dhe do të na ndihmojë në krah.

Gjendja e Bekaj? Është mirë, humbi pak memorien në fushë, por tani i mban mend të gjitha, edhe golin që pësoi. Është mirë. Osmani vendosi që Përgjoni të futej në portë, por frikë kishim, sepse nuk kishim alternativa”, ka thënë Shehi. / Oversport.tv