Shehi: I kënaqur me lojën, por ne meritonim më shumë

Orges Shehi shprehet i kënaqur me paraqitjen e skuadrës pas sfidës me Kukësin, pavarësisht se Tirana meritonte më shumë se një pikë sipas tij. Tekniku bardheblu foli për emisionin “TI BO GOL” ku dha edhe përshtypjet për ndeshjen.

“Mendoj se meritonim pak më shumë sepse luajtëm mirë dhe u shfaqëm më shpesh te porta kundërshtare. U shfaqëm me ide dhe pastër, por na penalizoi një gol i shpejtë ku ishim në gjumin e drekës akoma. Një gol që nuk ka falet.”

ZËVENDËSIMI NË MBROJTJE- “Ndërrimi ishte kokë më kokë. Po vuante topin pas shpine dhe qarkullimin e topit. Po qarkullonim topin vetëm me anë të Filipit, por edhe në dy tre episode nuk shkoi në dyfishim dhe në atë moment menduam që të vendosnim një lojtar me këmbën e majtë siç është Husseini.”

SEFERI- “Taulanti dihet që është lojtari jonë kryesorë dhe deri në 31 gusht nuk jemi të qetë nëse do të iki apo do të rri. Dua ta falenderoj sepse është në një periudhë vetëm me 5 ditë stërvitje.”

LOJA- “Kur kundërshtari del me 10 vetë sigurisht që do të mbyllet mbrapa. Disa herë nuk morëm vendimet e duhura për të mbyllur në thellësi, por nuk kishim shumë kontingjent. Nuk donim shumë të rrezikonim sepse kur futëm ëingerat lartë, duhet të kishim qendrën të sigurt dhe mund të ndëshkoheshim.”

VETO PËR SEFERIN- “Dihet shumë mirë si është futbolli modern dhe ne jemi klube që ku ta gjejmë të transferojmë lojtarë. Sa kam qenë unë kanë ikur shumë lojtarë që janë kërkuar jashtë. Ne na prish punë shumë sepse është lojtari jonë kryesorë, por nuk duhet të këmbëngulim ne trajnerët sepse shyqyr që erdhi kjo ditë që ata të transferohen jashtë”.

PARAQITJA- “Unë mendoj se Tirana sot u paraqit mirë. Në formacion ishin disa lojtarë të ri, por kjo paraqitje na jep shpresë. Unë jam i kënaqur dhe shpresoj që të përmirësojmë disa gjëra, sidomos manovrën sulmuese në bazë edhe të kontingjentit që kemi.”

“Pesë lojtarë janë të ri në formacion dhe duhet të përshtaten. Vuajmë pak në qendrën e mbrojtjes sepse Hoxhallari na ka lënë një boshllëk dhe nuk luajmë dot nga pas. Duhet të shohim gjërat e mira dhe të përmirësohemi më shumë.” /oversport.tv