Shehi: Kundër Dinamos në fushë më të mirët, besoj tek përmbysja

Tirana do të përballet nesër me Dinamon në ndeshjen e kthimit të Kupës së Shqipërisë. Sfida e parë u fitua nga dinamovitët 2-0 dhe për të siguruar një vend mes tetë më të mirave të turneut, Tirana duhet të përmbysë këtë disavatazh të dyfishtë.

Në një konferencë për shtyp në prag të kësaj sfide, trajneri i bardhebluve Orges Shehi ka vlerësuar kundërshtarin, por ka theksuar se skuadra e tij mund të përmbysë gjithçka dhe mund të vazhdoj më tej rrugën në Kupë.

“Është ndeshje kthimi, në ndeshjen e parë bëmë 45 jo të mira, pastaj ndryshuam fytyrë. Nesër kemi një ndeshje për të përmbysur. Motivimi është i skuadrës, për të dhënë maksimumin dhe për të arritur kualifikimin.

Jemi në disavantazh, na duhet shumë punë për përmbysjen por do të hymë në fushë të përqendruar për të fituar ndeshjen. Dhe me këtë mentalitet duhet të fitojmë ndeshjen. Duam të shkojmë sa më gjatë për të fituar trofeun, kjo do të jetë pikënisja jonë.

Kemi pasur javë jo të plotë për shkak të Kombëtareve. Sot është bashkuar Ismajlgeci ka luajtur me Shpresat, Seferi ka luajtur me Kombëtaren. Kemi probleme me Xhixhën pasi nuk është në 100% dhe do të shohim më vonë gjendjen e tij, ndërsa Hoxhallari do të mungojë për shkak të kartonëve.

Në futboll duhet të përqendrohesh për ndeshjen radhës, nesër do të hedhim në fushë gjithë forcat tona, do të imponohemi. Kemi kohë deri të hënën për Kukësin, për të menduar, rikuperuar e mbledhur forcat me lojtarët e dëmtuar.

Do të doja që skuadra ka përqendrim maksimal, është e rëndësishme vazhdimësia, me këtë moto duam të vazhdojmë. Vazhdimësia në futboll është shumë e rëndësishme’’, ka deklaruar Shehi. / Oversport.tv