Trajneri i Tiranës, Orges Shehi ka folur për emisionin “Ti Bo Gol” në Oversport pas suksesit në derbi.
“Dihet rëndësia e derbit nga të gjithë. Është një fitore e rëndësishme, edhe pse e vuajtur. Gjithë skuadra meriton komplimente për shpirtin e garës dhe sakrificës. Ismajlgeci meriton komplimente, sepse luajti edhe pse sot i kishte ndërruar jetë gjyshi.
Zëvendësimi i Xhixhës? Kisha dilemën se kë nga sulmuesit duhet të nxirrja jashtë. Xhixha apo Patrick. Por meqë ndryshuam skemë vendosëm që të mbanin Xhixhën, që luan mirë në kundërsulm. Lojtarët meritojnë komplimenta sepse luajtën me personalitet.
E doja fitoren në këtë derbi për lojtarët e rinj, që të kuptojnë rëndësinë dhe atmosferën e derbit. Që të shijojnë fitoren në këtë sfidë. U thashë lojtarëve që nëse respektojmë detyrat, nuk do të pësojmë. Vuajtëm, por edhe Bekaj tregoi që është portieri më i mirë i kampionatit tonë. Fitimi i derbit me një lojtar më pak është një shenjë e mirë. Ne kemi treguar lojë të mirë edhe në ndeshjet e tjera, shpresojmë që kjo fitore të na shërbejë për vazhdimësinë.
Rëndësia e Xhixhës? Është një lojtar i rëndësishëm, që sakrifikon dhe me këmbë në tokë. Është ai lojtari i momentit dhe mori përsipër penalltinë. Shpresojmë që Xhixha të jetë vendimtar edhe në ndeshjet e tjera, por edhe lojtarët e tjerë. Xhixha meriton një ftesë në kombëtare, pasi ka qenë gjithmonë i rëndësishëm për skuadrën tonë. Fitorja na shërben shumë, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë në ndeshjet pasardhëse. Euforia është armiku numër një i skuadrës.
Trajneri i kombëtares? Do isha i nderuar nëse do të qarkullonte emri im. Vetëm ky fakt do të më nderonte”, ka thënë Shehi. / Oversport.tv