Shehi: Një ndeshje me dy tablo, nuk ka arsye për tu mërzitur! Hasani është lojtari ynë kryesor

Trajneri i Tiranës, Orges Shehi ka folur për Oversport pas barazimit 1-1 në transfertë përballë Bylisit.

“Ishte një ndeshje me dy tablo. Pjesa e parë ishte për tu harruar dhe ndoshta meritonim të pësonim gol për mënyrën si po luanim. Ndërsa pjesa e dytë foli për ne edhe për disa lëvizje që bëmë. Pësuam një gol, por më pas ushtruam presion. Arritëm të shënonim, kishim edhe një shans tjetër, por i tillë është futbolli. Pjesët nuk korrespodojnë me njëra-tjetrën.

Në pjesë të parë luajtëm shumë dobët dhe meritonim të ndëshkoheshim. Më vjen keq që pësuam në pjesën e dytë nga një goditje standarde. Skuadra reagoi, është gjithmonë aty. Çunat meritojnë komplimente për mënyrën si reagojnë pas golit. Por ne duhet të luajmë siç bëmë në pjesën e dytë. Nuk ka arsye për tu mërzitur. Edhe 10 javë kampionat kanë mbetur. Duhet të analizojmë detajet dhe të mos pësojmë gola kaq lehtë.

Patrick do të mungojë për pjesën e mbetur të sezonit, por me këtë organikë duhet të arrijmë objektivat. Duhet të luajmë topin që poshtë, duke vënë të gjithë skuadrën në kontakt me topin dhe të rrezikojmë më shumë.

Forma e Hasanit? Florenti është lojtari ynë kryesor. U dëmtua Patrick dhe Hasani, ndërsa Xhixha u largua. Florenti po bën mirë, por shpresojmë që të rikthehet edhe Abazaj dhe të shënojnë edhe lojtarët e tjerë të skuadrës”, ka thënë Shehi. / Oversport.tv