Tirana do të përballet me Kastriotin në Kamëz, nesër në orën 13.45, në një sfidë të vlefshme për javën e tretë të kampionatit shqiptar të futbollit.
Në prag të kësaj sfide tekniku i bardhebluve, Orges Shehi ka dhënë një konferencë për shtyp. Tekniku durrsak ka folur për gjendjen e skuadrës dhe objektivat në këtë takim.
“Gjendja e grupit është e mire. Futbolli është provim, javë pas jave vihesh përballë skuadrave, kushdo qofshin ato duhen tre pikët. Mendoj që ndeshjet që në letër duken më të lehta, bëhen më të vështira.
Kemi ndeshjen e radhës me Kastriotin dhe është ndeshje e vështirë, por duhet të përqendrohemi të marrim maksimumin. Është java e tretë dhe kundërshtari kërkon të marri pike, sepse është në fundin e tabelës”-ka thënë tekniku i Tiranës.
I pyetur për episodin e javës së fundit kundër Egnatias, ku kryeqytetasit pretenduan një penallti të paakorduar nga VAR-i, Shehi nuk ka dashur të bëjë polemikë:
“Nuk është se kam koment për dizenjatorin e arbitrave. VAR-i na ndihmon shumë në futboll, i zvogëlon gabimet. Edhe ata që janë në VAR njerëz janë, gabojnë, por nuk duhet të merremi me atë që shkoi, por të shohim për atë që duhet të bëjmë nesër”-ka përfunduar trajneri i Tiranës. /Oversport.tv