Shehi: Nuk ka vend për eufori, kundër Dinamos ndeshje ndryshe nga ajo ndaj Partizanit

Tirana do të përballet ndaj Dinamos në derbin e kryeqytetit këtë të mërkurë për Kupën e Shqipërisë. Për të komentuar sfidën ka dalë përpara mikrofonave edhe trajneri i bardhebluve Orges Shehi. Ai nuk e fshehu dëshirën për të dalë triumfues në derbi dhe e uli presionin mbi ekipin për titullin kampion.

NDESHJA NDAJ DINAMOS– “Është e rëndësishme ndeshja ndaj Dinamos për historinë dhe përbërjen. Kemi përballë një skuadër shumë të fortë me individë shumë cilësorë. Duhet përqendrim dhe vlerësim maksimal duke parë historinë dhe cilësinë që ata kanë brenda.”

MENTALITETI- “Nuk mendoj se kemi vend për eufori kemi luajtur 7 ndeshje dhe na presin dhe 29 të tjera plus Kupën. Kurrsesi nuk duhet të biem pre e euforisë. Kupa ka dy takime, nuk është se vendoset gjithçka nesër. Ka një takim tjetër për kthimin, duhet të jemi të kujdesshëm. Është e rëndësishme që të vazhdojmë me këtë intensitet, impenjim dhe shpirt gare.”

ISMAJLGECI– “Është shqetësuese gjendja e Ismajlgecit sepse dëmtimet nuk po e lënë që ai të shfaqet në realitet ashtu siç është. Ai lojtar që unë mendoj që është një nga më të mirët në Shqipëri dhe ky vit mendoj se do të jetë i tiji për të bërë dhe hapin e madh. Shpresojmë që ta rikuperojmë në kohë, kjo falë dhe mjekëve që po e mbajnë në kujdes të jashtëzakonshëm për ta rikuperuar, por çdo dëmtim ka diët e veta dhe nuk duam ta rrezikojmë.”

DERBI I KRYEQYTETIT–  “Ndryshimi i vetëm është që ka impakt te njerëzit dhe tifozët, sepse jetohet me shumë rivalitet derbi me Partizanin dhe për shkak se Dinamo ka pasur edhe një shkëputje prej 9 vitesh për shkak se nuk ishte një skuadër që pretendon dhe kjo e ka zbehur disi rivalitetin. Janë dy skuadra me histori i vetmi ndryshim është përjetimi që ka tek lojtarët dhe tifozët.”

TITULLI KAMPION- “Ky është një kampionat me shumë rivalitet, pavarësisht se disa skuadra nuk kanë pikët që prisnin ose nuk kishin pritshmëritë e fillimit, por kanë kaluar vetëm 7 javë dhe janë 7 skuadra që janë të investuara dhe të mirë ndërtuara dhe mendoj se do të jetë një kampionat rivalizues. Vazhdimësia do të tregojë se cila skuadër do të jetë më konkurruese dhe më serioze për të vazhduar rrugën për objektivat e tyre. Në kampionatin tonë ka vetëm ndeshje të vështira dhe nuk ka asnjë të lehtë”. /oversport.tv