Shehi: Nuk më intereson loja, në këto momente e rëndësishme është fitorja! Projekti i Tiranës nuk është vetëm me Shehin

Trajneri i Tiranës, Orges Shehi ka folur për Oversport pas fitores 1-0 në klasiken e futbollit shqiptar përballë Vllazninsë në “Loro Boriçi”.

“Në këtë moment e rëndësishme është fitorja dhe nuk më intereson fare loja. 4 zëvendësime sot ishin të detyruara. Ne e dimë që kundërshtari ka cilësi dhe ndryshuam vendosje. Mendoj që është një fitore e rëndësishme, fitore karaktere. Pësonim gol prej 7-8 ndeshjeve radhazi dhe sot nuk pësuam. Jam shumë i kënaqur me këtë fitore. Ne do ti marrim ndeshjet një nga një dhe më pas do të mendojmë për derbin.

Në këtë fazë është shumë i rëndësishëm përqendrimi, vlerësimi i situatave. Ndonëse ne ishim fitimtarë në të gjitha dyluftimet. Vuajmë, i lëshojmë territorin kundërshtarit, por nuk kemi panik. Edhe pse i lamë rreth 80% të fushës kundërshtarit, rastin më të pastër e kishim ne me Hasanin. Por e rëndësishme në këtë moment të sezonit janë pikët. Kemi luajtur bukur në fillim të sezonit, por nuk kemi arritur të marrim pikët. Ato janë më të rëndësishme tani, sepse nuk mund të rikuperohen më.

Mentaliteti juaj në ekip? Gjithsecili ka mentalitetin e vet, por është e tepërt të flas për veten. Lojtarët e mi janë elitar, që mundohen të shkruajnë emrin e tyre në histori. Ata po e kuptojnë shumë mirë se sa e rëndësishme është që të jesh kompetitiv. Kemi pasur momente të këqija, kemi edhe momente të mira, por mundohemi ti ekuilibrojmë, duke u munduar të përmirësohemi. Projekti nuk është vetëm Shehi, duhen mbajtur edhe lojtarët, që të mos nisim gjithçka nga fillimi çdo sezon”, ka thënë mes të tjerash Shehi. / Oversport.tv