Shehi: Ruajtëm energji për kampionatin, Xhixha pret ofertën e duhur

Trajneri i Tiranës, Orges Shehi ka folur për Oversport pas fitores 3-0 përballë Lushnjës në Kupën e Shqipërisë.

“E nisëm shumë mirë ndeshjen, e interpretuam shumë mirë. Kur ndeshja shkon 3-0 pastaj menduam që të menaxhojmë forcat, pasi kemi sërish ndeshje të shtunën në kampionat. Bëmë zëvendësime për të menaxhuar energjitë, për të qenë më të freskët për ndeshjen e radhës.

Gjendja e Xhixhës? Shpresojmë që ta kalojë sa më shpejt këtë gjendje gripale. Nuk vendosëm që ta rrezikojmë dhe shpresojmë që nesër të stërvitet me skuadrën. Të rinjtë premtojnë dhe kur është mundësia dhe hapësira ata kanë qenë në fokusin tonë.

Merkato, Xhixha? Është në fokus dhe shfaqen skuadra të interesuara për shërbimet e e tij. Është lojtari ynë më i rëndësishëm dhe ofertat nuk mungojnë. Çdo trajner kërkon që ti ketë në organikë lojtarët më të mirë, por e tillë është dinamika në futboll. Tirana ka transferuar 6 lojtarë jashtë Shqipërisë dhe vazhdon të shihet me interes. Dobësohet skuadra, por nëse vjen oferta e duhur. Skuadra nuk del kurrë nga objektivat, por sigurisht që lojtarët tanë më të mirë do të transferohen jashtë duke sjellë të ardhura në klub”, ka thënë Shehi. / Oversport.tv