Shehi: Spektakli do orar e ambient! Të rinjtë i fusim kur të sigurojmë titullin

Tirana barazoi pa gola kundër Kukësit në Rrogozhinë. Bardheblutë nuk bënë një ndeshje të mirë, por sërish nuk u mposhtë. Në lidhje me atë që ndodhi në fushë dhe vazhdimësinë foli trajneri Orges Shehi.

“Ishim me një rreshtim ndryshe edhe prej dëmtimit të Xhixhës. Disa episode i patëm. Nuk mund të luash gjithnjë në sulm apo në ritëm, ka të bëjë edhe orari e ambienti. E interpretuam mirë. Xhixha dhe Devid kanë karakteristika të ndryshme, por nuk mund të rrezikojmë lojtarët. Xhixha ishte dy ditë pa stërvitje dhe më pas e futëm në fushë”.

“Motivimi është i rëndësishëm dhe në këtë distancë lufta është me veten. Motivimi nuk ka munguar, në 9 ndeshjet e mbetura nuk kemi pse të bëjmë shkencë. Duhet të jemi në ekuilibër dhe që kundërshtari të mos na rrezikojë”, tha Shehi në Supersport.

“Janë 27 pikë në lojë dhe matematikisht nuk e kemi siguruar titullin. Kur ta sigurojmë do të fusim edhe element të rinj. Ne duhet të jemi të fokusuar vetëm te vetja jonë. Loja? Argëtimi do orar dhe fusha të përshtatshme. Kishim shumë kohë që nuk luanin në 13:45.

Disa lojtarë janë edhe me agjërim. Edhe duke luajtur në fusha asnjanëse, me kundërshtarët që nuk i kanë fushat gati, nuk motivohen tifozët. Do të preferoja stadiumin plot, edhe në fushë kundërshtare”, u shpreh Orges Shehi. /oversport.tv