Shehi: Ta mbyllim pa asnjë humbje ne derbi! Rinovimi? Ka mbetur vetëm firma

Orges Shehi, trajneri i Tiranës, në prag të derbit me Dinamon ka deklaruar para mediave: “Ky derbi nuk mund të ketë vlerën që ka pasur gjithmonë, për shkak dhe të objektivave që ne i kemi arritur. Fatkeqësisht edhe Dinamo, që është një emër i madh, ka zbritur një kategori më poshtë. Gjithsesi mbetet derbi, një ndeshje që ka rëndësi.

Është derbi i fundit i këtij sezoni dhe duam që të jemi gjithmonë serioz. Duam të jemi gjithmonë fitues. Është një derbi që hyn në histori, sepse çdo gjë është e shkruar dhe ku ka më mirë se sa të shkruash historinë pa asnjë derbi të humbur. Me aq sa mendoj unë, Tirana ka tre derbi, dy të qytetit dhe një të futbollit shqiptar me Vllazninë”.

“Rinovimi? Mendoj që është vetëm çështje firme, çdo gjë është dakord në parim dhe firma është vetëm formalitet dhe besoj se ajo në ditët në vijim do të përfundohet”, shtoi trajneri Shehi, i cili më tej foli edhe në lidhje me planet për Tiranës e Europës dhe sezonit të ri.

“Sigurisht që puna ka filluar dhe për fat të mirë që vjet që kemi ndërtuar një skuadër që të kemi element që të kenë kontrata afatgjatë. Klubi ka filluar bisedimet një nga një për rinovim, si rasti i Filipit. Në ditët në vijim do të rinovohen dhe lojtarë të tjerë.

E rëndësishme është që një skuadër të ketë boshtin. Ka dhe lojtarë të tjerë që do të afrojmë në gjirin tonë. Kemi negociuar dhe këto kohë presim një përgjigje. Lojtarët që kemi biseduar duhet të vendosin shpejt”, përfundoi Shehi. / oversport.tv