Shehi: Të dalim nga fusha me mendimin se i bëmë të gjitha, vendimet do t’i marr nesër

Në prag të derbit të kryeqytetit midis Dinamos dhe Tiranës, ka dalë përpara mikrofonave edhe trajneri i bardhebluve Orges Shehi. Ai komentoi mbi rëndësinë e ndeshjes në raport edhe me derbin e luajtur në kupë, dëshirën për një rezultat të mirë, si dhe për kartonët e shumtë të kuq në ndeshjet e fundit.

PËRGATITJA E NDESHJES- “Se çfarë do të përgatisim për këtë ndeshje do ta shohim nesër. Unë nuk mund të flas dot sot se si do të vendoset skuadra për nesër. Nesër do të shikoj se çfarë ndryshimesh do të bëj dhe mënyrën e lojës”.

BARAZIMI- “Do të më kënaqte impenjimi, qëndresa e skuadrës në të tilla standarde.  Sidomos në ndeshjet e tjera jo asaj të kupës, kjo gjë do të më kënaqte. Pastaj se çfarë prodhon fusha, ajo është rezultat, por e rëndësishme është që ne të dalim nga fusha me mendimin se i bëmë të gjitha”.

KARTONËT E KUQ- “Nga kartonët e kuq vetëm njëri ka qenë direkt, të tjerët kanë ardhur si pasojë e dy kartonëve të verdhë. Është një situatë që disa kartona edhe mund të anashkaloheshin, sepse janë marrë për arsye festimesh ose për arsye nga më të ndryshmet.

Mbetet për t’u përmirësuar pasi dihet që të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm dhe në këtë aspekt duhet të jemi më të kujdesshëm. Besoj se do të ndryshoj kjo, por mendoj se vjen dhe nga agresiviteti sepse skuadra ka qenë shumë agresive dhe është diçka për tu përshëndetur. Megjithatë nuk duhet ta kalojmë masën”. /oversport.tv