Tirana do të luajë të dielën ndaj Egnatias në “Selman Stërmasi” me synimin për të vijuar rrugëtimin e fitoreve. Pas triumfit 4-2 ndaj Skënderbeut, trajneri Shehi pret nga skuadra e tij të njëjtën paraqitje edhe ndaj ekipit të ngjitur rishtazi në “Abisnet Superiore”.
Në konferencën për shtyp, numri një i stolit të bardhebluve ka komentuar situatën e grupit që ka në dispozicion, duke u ndalur edhe te gjendja e Seferit.
“Gjendja e skuadrës është e mirë. Seferi nuk është stërvitur me grupin vetëm ditët e para, por më pas është bashkuar. Besoj se është në gjendje të luajë e për të qenë në formacion”, ka thënë fillimisht trajneri Shehi.
Më tej, numri një i stolit të kryeqytetasve ka komentuar kundërshtarin, duke mos dashur të ketë aspak nenvlerësim nisur nga fakti që vjen nga Kategoria e Parë. “Superliga ka kundërshtarë realisht të fortë. Egnatian nuk e perceptojmë nga emri por nga cilësia e lojtarëve që ka.
Është skuadër që po bën investime dhe në minutat e fundit të merkatos ka marrë lojtarë cilësorë, pra jemi të vetëdijshëm që do të jetë një ndeshje e vështirë përballë një kundërshtari që këtë vit ka ardhur në elitë por brenda për brenda ka cilësi dhe lojtarë me peshë”, ka përfunduar trajneri i Tiranës. Kryeqytetasit presin Egnatian në “Selman Stërmasi” për ndeshjen e javës së dytë, në orën 13:45.