Andriy Shevchenko ka dhënë një intervistë të gjatë për “Corriere della Sera”, ku ka folur për konfliktin e armatosur që po ndodh në vendin e tij:
“Të kthehem në Ukrainë? E kam menduar shumë herë, por është e pamundur. Mbyllën gjithçka shumë shpejt. Aeroportet e bombarduan të parët. Kam vendosur që të mbroj vendin tim ashtu siç mundem.
Duke treguar se kush jemi dhe sa po vuajmë. Duke ndihmuar viktimat dhe refugjatët. Përgjigjja e Italisë ishte e jashtëzakonshme. Përmes GoFoundMe kemi mbledhur 343 mijë euro për Kryqin e Kuq: ilaçe dhe ushqime.
Fonde të tjera janë mbledhur nga Fondacioni Milan, që ka nxjerrë në shitje një fanellë të veçantë, bazuar tek ajo që veshëm në Mançester në vitin 2003 ku fituam Championsin.
Kam folur në telefon me kryebashkiakun e Firenzes dhe Milanos, si dhe me mikun tim Giorgio Armani. Shpresoj që së shpejti të njoftoj një iniciativë speciale.
Milano dhe Italia janë atdheu im i dytë. Milano është një qytet bujar. Jam i bindur që do të presë shumë ukrainas që largohen nga lufta. Të gjithë do të jenë fëmijë, gra dhe të moshuar, sepse burrat nga 18 deri në 60 vjeç nuk mund të largohen nga Ukraina”, ka thënë ish-sulmuesi i Milanit. / Oversport.tv
Foto: AC Milan Facebook