Shitja duket e pashmangshme, shkaqet që detyrojnë familjen Zhang të heq dorë nga Interi

Bordi drejtues i Interit do të mblidhet ditën e nesërme për të ratifikuar buxhetin e klubit për sezonin e ardhshëm. Sipas asaj që raportohet nga mediat italiane, humbjet pritet të jenë rreth 130-140 milionë euro, një shifër ende e lartë, por jo sa një vit më parë (245 milionë euro). Interi humbet pothuajse 10 milionë euro çdo muaj dhe me sanksionet e vendosura nga qeveria kineze, që me shumë gjasa nuk do të ndryshojnë, situata nuk ka shumë shpresë përmirësimi.

Një situatë aspak e mirë kjo për familjen Zhang, të cilës i shtohet edhe borxhi prej 275 milionë eurosh, marrë tek Oaktree. Kjo shumë duhet të shlyhet deri në vitin 2024 dhe në rast se nuk ndodh aksionet e Zhang do të shkojnë për kompaninë që ka dhënë borxhin.

Për këtë arsye, më shumë se sa një investitor i ri, Zhang është i detyruar të shesë Interin. Këtë gjë e thotë edhe “Il Sole 24 Ore” që ka zbuluar gjithashtu se përveç Goldman Sachs, familja Zhang ka ngarkuar me detyrë edhe bankën amerikane, Raine Group, për të gjetur një investitor të ri që të blejë Interin. Kujtojmë se Raine Group është banka që bëri lëvizjen e Chelsea nga duart e Roman Abramovich te Todd Boehly.

Sipas asaj që nënvizon gazeta ekonomike, mundësia më e lartë për të gjetur një pronar të ri duket se vjen nga amerika. Zhang nga ana tjetër kërkon të provojë për të gjetur edhe një investitor në minorancë, por kjo gjë duket pothuajse e pamundur ekonomikisht për të mbajtur Interin në nivele të larta.

Prandaj, gjasat më të larta janë që familja Zhang të heqë totalisht dorë nga Interi dhe të shesë aksionet, ku “nyja” që duhet zgjidhur është shifra e kërkuar. Presidenca kineze e Interit e vlerëson klubin që kanë në pronësi për një shifër më të lartë se 1 miliard euro. /oversport.tv

Foto: Inter, Facebook