Shkëmbi: Analizën Dinamos nuk ia bëjnë dot në TV, Partizani rival i denjë

Trajneri i Dinamos, Bledi Shkëmbi ka folur përpara mediave në lidhje me derbin që i rikthehet kryeqytetit. Dinamo dhe Partizani rikthehen që të luajnë së bashku pas mëse një dekade dhe trajneri korçar ka shprehur keqardhjen për faktin që kjo sfidë luhet në Elbasan dhe jo pranë publikut kryeqytetas.

Në fjalën e tij, Shkëmbi ka komentuar formën e skuadrës që drejton, paraqitjet e deritanishme dhe mënyrën e lojës së bluve. “Analizën më të mirë e bëjmë ne brenda ekipit dhe jo analistët apo askush tjetër që nuk e di çfarë ndodh nga brenda. Jemi të kënaqur edhe pse mund të bënim më shumë”, tha ndër të tjera trajneri i Dinamos.

“Jemi munduar që ekipi të qetësohet, të mos kemi presion, sikurse jemi munduar t’ua shprehim të huajve rëndësinë e derbit. Të tjerët e ndjejnë, pasi e njohin derbin. Është një ndeshje e veçantë deri në këto momente. Do ishte më mirë të luhej në Tiranë, por edhe Elbasani ka fushë ku mund të shprehesh mirë në aspektin teknik. Keqardhje mund të ketë vetëm për tifozerinë. Jemi të kënaqur që po na ndjekin. Ata do kthehen sërish, prej rezultateve tona në vazhdim”.

“Dinamo është ribërë dhe kemi guxuar, duke luajtur për të fituar. Analizat bëhen pas ndeshjeve, ne e dimë çfarë ndodh. Nuk e bëjnë dot të tjerët më mirë analizën. Kemi marrë dy barazime, por mund të merrnim diçka më shumë. Jemi të kënaqur. Do mundohemi të fitojmë, pa harruar se luajmë ndaj një ekipi të fortë si Partizani. Janë dy ekipe të denja për ta fituar ndeshjen.

Për Dinamon do jetë çdo ndeshje barometër, deri kur të vijë ajo që duam. Jemi në rrugë të mbarë dhe jam i bindur që e ardhmja e Dinamos do të jetë e mirë. Partizani është rival i fortë, luajnë me ritëm në të dyja fazat. Nuk ka një ekip që bën diferencën. Do jetë kampionati i vetëm që javë pas jave nuk do mundësh të marrësh frymë lehtësisht, pasi do jetë e vështirë çdo ndeshje.

“Formacioni? Do shikojmë stërvitjen për të vendosur për formacionin. Kemi dy lojtarë me probleme fizike dhe më pas do të vendosim si do të rreshtohemi”, tha në përfundim të konferencës Bledi Shkëmbi, i cili në Abissnet Superiore më parë ka drejtuar Teutën. / oversport.tv