Shkëmbi: Dinamo do minimumi Europën, kualifikimi vlen për moralin

Bledi Shkëmbi ka dalë sot para mediave dhe ka folur për derbin ndaj Tiranës dhe për situatën në skuadrën e tij. Kjo periudhë pushimi i ka bërë mirë bluve, që kishin disa lojtarë të dëmtuar. Gjithashtu edhe rezultatet s’kanë qenë të duhurat.

“Pushimi erdhi në momentin e duhur për disa lojtarë, për gjendjen fizike që kishim. Kemi rikuperuar disa futbollistë, por edhe nga ana psikologjike ky pushim na bën mirë. Gjendja e skuadrës është pak më e mirë, na rikthehet edhe Sofranac.

Objektivi minimal është Europa, kjo është dëshira. Synimi nesër është të bëjmë një ndeshje të mirë dhe të kualifikohemi, e pastaj të mendojmë për kampionatin dhe për t’u afruar me kreun.

Pas rezultateve jo të mira nuk është e thjeshtë situata. Gjithsesi kemi në ekip lojtarë me eksperiencë, të cilët kanë provuar shumë rezultate gjatë karrierës. Koha e pushimit na bëri mirë për të harruar dhe për t’u fokusuar te ndeshja nesër.

Gjithmonë mendja është te ndeshja e radhës. Kualifikimi do të na bëjë të ndjehemi mirë edhe në kampionat”, deklaroi trajneri i Dinamos, Bledi Shkëmbi. Nesër 18 herë kampionët e vendit do tentojnë të mbrojnë fitoren 2-0 të arritur në ndeshjen e parë kundër Tiranës. Takimi luhet prej orës 19:45 në “Air Albania Stadium”. / oversport.tv