Shkëmbi: Pengjet e mia Laçi e Partizani, Kastrioti rival i vështirë

Bledi Shkëmbi doli sot para mediave dhe foli për ndeshjen e radhës kundër Kastriotit, si dhe tregoi pengjet e tij në fazën e parë të kampionatit. Tashmë është koha për një rinisje të dinamovitëve, që e kanë detyrim të fitojnë kundër Kastriotit.

“Kur gjërat nuk shkojnë mirë, gjithnjë mendon se mund të kishe bërë ndryshe, diçka më mirë. Peng ndoshta kam atë ndeshje me Laçin dhe Partizanin. Duhej të bënim më shumë, në disa ndeshje kemi bërë mirë, por nuk kemi marrën rezultatin.

Këtë fazë janë tre ndeshjet, dy me Tiranën një në kupë dhe kampionat dhe ndeshja në Shkodër ku duhet të ishim sjellë shumë ndryshe”, shprehet Shkëmbi para mediave, në prag të ndeshjes që “Blutë” e luajnë nesër kundër Kastriotit në “Elbasan Arena”.

Tekniku korçar lë pas të shkuarën dhe flet për duelin e radhës: “E shikoj një ndeshje të vështirë, të gjitha skuadrat nuk kanë disnivel. Nuk ka një skuadër që dominon për 90 minuta. Kastrioti armën kryesore ka luftën dhe këtë e dimë. Është një ndeshje që duhet të bëjmë mbi maksimumin dhe këto tre pikë do të na jepnin qetësi për vazhdimësinë”.

Shkëmbi flet edhe për rastet e humbura dhe golat e pësuar: “Duke marrë shkas nga ndeshja e fundit, rastet e pastra duhet t’i shënojmë dhe të jemi më të përqëndruar në fazën mbrojtëse. Kundërshtarët na rrezikojnë ose shënojnë që në momentin e parë, por përmirësimi vjen ndeshje pas ndeshje dhe jo me buton”. / oversport.tv