Shkëmbi: Skënderbeu ekip problematik, Dinamo nuk i ndryshon objektivat

Bledi Shkëmbi, trajneri i Dinamos, ka dalë sot para mediave dhe ka folur për duelin e nesërm kundër Skënderbeu në Korçë. Blutë pësuan humbjen e parë ndaj Vllaznisë, madje pësuan 6 gola dhe tani duhet të bëjnë autokritikë në këtë transfertë.

“Humbja me Vllazninë na motivon të reagojmë.  Do mundohemi të bëjmë një ndeshje të mirë dhe të fitojmë. Skënderbeu me ekipe të forta është ekip problematik, i paparashikueshëm.

I kemi marrë masat për të marrë rezultatin e duhur. Kemi disa probleme dëmtimesh, do i shoh dy lojtarë deri para ndeshjes dhe më pas të vendos për formacionin. Do jetë pak a shumë i këtyre javëve”.

“Kundër Vllaznisë gabimet më të mëdha ishin individuale, në goditje standarde. Kundërshtari na goditi, edhe pse i kishim marrë masat. Na vjen mirë që rikthehet Sofranac dhe lojtarët do të shkojnë në pozicionet e tyre”.

“Të gjitha ekipet kanë humbur. Ishim paraqitur mirë deri tani, duke mos humbur asnjë ndeshje. Jam kundër ndryshimit të objektivave pas javës së gjashtë, apo klubi të ndryshojë besimin ndaj lojtarëve dhe ekipit.

Duam të fitojmë çdo ndeshje. Më vjen keq që e nisim mirë dhe shënojmë, më pas nuk fitojmë. Është një problem që e kemi diskutuar. Jam i sigurt se do rikthehemi dhe t’i fitojmë ndeshjet”, përfundoi Shkëmbi. / oversport.tv