Shkëmbi: Tirana do të kërkojë të marr hak, por ne duam një tjetër fitore

Një tjetër derbi përballë Tiranës do të luajë Dinamo, por këtë herë sfida do të jetë e vlefshme për kampionatin. Pas fitores në Kupë, tekniku Bledi Shkëmbi kërkon një tjetër sukses përballë bardhebluve.

Trajneri i “bluve” të kryeqytetit ka folur në një konferencë për shtyp për ndeshjen kundër Tiranës, duke analizuar kundërshtarin dhe duke treguar objektivin e skuadrës së tij në këtë derbi.

“Fitorja në Kupë na jep më shumë moral dhe qetësi. Jemi të bindur që ndeshja e kampionatit ndryshon nga ajo e Kupës. Në futboll dëmtimet ndodhin, fat i keq për ne, por lojtarët që do të luajnë do të bëjnë mirë. Ne do të rritemi ditë pas dite, ndeshje pas ndeshje.

Vazhdoj të them se kemi bërë një kampionat të mirë sa i përket lojërave, do të donim të kishim më shumë pikë. Kemi humbur pikë edhe për gabimet tona, por në fund të kampionatit çdo ekip do të marrë atë që meriton.

Në futboll është fusha që tregon çdo gjë, Skuka bëri shumë mirë dhe na ka dhënë shpresa për përmirësim. Unë dy ndeshjet e fundit në kampionat dhe të Kupës i cilësoj si më të mirat. Është gjë tjetër të humbësh dhe gjë tjetër të bësh analizën e ekipit.

Më mirë se trajneri s’e bën dot askush analizën pasi i shikon lojtarët çdo ditë në ça forme janë. Jam i kënaqur me ekipin, po kapim vazhdimësinë, gjatë 90 minuta dje çdo ndeshje që po vjen do të jetë dhe më e mirë.

Dëgjoj shumë se Tirana na nënvlerësoi. Tirana s’po luante me ekipin e kalamajve, por me Dinamon. Ishalla na shikon Tirana dhe nesër si të vegjël, por duke i rikthyer dhe një herë që do të jetë ndeshje tjetër, pasi Tirana do të kërkojë të reagojë, por ne do të synojmë bëjmë akoma më mirë”, ka thënë mes të tjerash Shkëmbi. / Oversport.tv