Takimi Dinamo-Laçi që do të luhet sot në Elbasan Arena në orën 19.45 do të hapë javën e dytë të “Abissnet Superiore”. Bardheblutë e kryeqytetit e nisën shumë mirë kampionatin duke fituar 0-2 në transfertë përballë Kastriotit.
Skuadra e Shkëmbit kërkon suksesin e radhës në ndeshjen e sotme, sepse pavarësisht se rikthehet pas shumë kohësh mes më të mirave të Shqipërisë, synimet në këtë sezon janë maksimale.
“Jemi një skuadër e ndërtuar nga fillimi, por objektivat tanë janë madhorë në këtë sezon. Skuadra do të rritet ndeshje pas ndeshje dhe do të kërkojë maksimumin e pikëve në çdo takim. Laçi është një skuadër shumë cilësore, që meriton respekt, por ne do të japim më të mirën që të arrijmë fitoren”-ka deklaruar trajneri Shkëmbi në prag të kësaj ndeshjeje.
Laçi e nisi keq sezonin e ri, pasi u mposht në shtëpi 3-5 nga Vllaznia.
Skenderbeu-Partizani dhe Vllaznia-Teuta do të luhen ditën e shtunë, ndërsa java e dytë e kampionatit mbyllet të dielën më takimet Tirana-Egnatia dhe Kukesi-Kastrioti.