Shkurtaj merr për dore Kukësin, mesazh Laçit e Tiranës kryesuese

Kukësi i është kundërpërgjigjur Laçit që fitoi një ditë më parë dhe me fitoren e sotme 1-0 kundër Skënderbeut i afrohet Tiranës me tre pikë, kur kryesuesit kanë në program për nesër derbin ndaj Dinamos.

Pas humbjes së javës së shkuar, Kukësi duhet të reagonte me çdo kusht sot ndaj korçarëve. Portieri Tafas u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 35-të, pas një ndërhyrjeje ndaj Mensah. U mendua se ndeshja do komplikohej, por Kukësi vazhdoi të udhëhiqte lojën.

Gjithsesi korçarët rrezikuan të shënonin me Uerdi Marën, i cili nga një goditje dënimi e dërgoi topin në traversë. Në të 44′ Kukësi ishte pranë golit, por shtylla e ndali mesfushorin.

Kukësi u mundua shumë të shënonte, por nga ana tjetër Skënderbeu ishte më i qartë dhe me Berishën e Nikajn vuri në provë portierin Xhika.

Kur nuk shënon e pëson dhe ishte Vasil Shkurtaj ai i cili u bë shpëtimtari i Kukësit, duke shënuar pas një topi perfekt të dhënë nga Gjelbrim Taipi.

Skënderbeu tentoi të shmangte humbjen dhe e kishte mundësinë me Mensah, por ganezi nuk e devijoi në portë një top brenda zone. Kukësi e ruajti epërsinë dhe mori pikët e plota.

ABISSNET SUPERIORE – JAVA 17

E diel, më 16 janar, ora 16:45

Kukësi-Skënderbeu 1-0 (Shkurtaj 78′)

E hënë, më 17 janar, ora 19:45
Dinamo-Tirana (Air Albania)

E premte, më 14 janar, ora 16:45
Vllaznia-Egnatia 1-1

E shtunë, më 15 janar, ora 13:45
Teuta-Laçi 2-4

Partizani-Kastrioti 0-0

/ oversport.tv