Show i Curry në përmbysjen ndaj Cavaliers, Philadelphia ringjallet në Denver

Steph Curry vazhdon të magjepsë të tifozët e basketbollit me paraqitjet e tij në NBA. Ylli i Warriors realizon 40 pikë (20 në periodën e fundit) në suksesin me përmbysje të Golden State kundër Cleveland Cavaliers.

Fitore me peshë arrijnë edhe Philadelphia në Denver dhe Miami kundër Washingtonit. Edhe Memphis Grizzlies, Utah dhe Minnesota kanë marrë maksimumin në ndeshjet respektive.

CLEVELAND CAVALIERS – GOLDEN STATE WARRIORS 89 – 104

Steph Curry bëhet edhe një herë tjetër protagonisti i mbrëmjes së NBA, me një paraqitje të shkëlqyer që di të bëjë vetëm ai. Numri 30 udhëheq Golden State drejt përmbysjes në periodën e fundit kundër Cleveland Cavaliers, që humbasin avantazhin e krijuar (81-68) në 12 minutat e fundit të takimit (36-8).

Curry shënon 40 pikë, 20 në periodën e fundit dhe i jep fitoren 104-89 skuadrës së tij, një sukses që e konfirmon Golden State në krye të Konferencës së Perëndimit. Cleveland nuk eviton dot humbjen e tretë radhazi, ndonëse Garland shënon 25 pikë.

MIAMI HEAT – WASHINGTON WIZARDS 112 – 97

Miami Heat ka mposhtur 112-97 Washington Wizards dhe falë këtij suksesi i bashkohet Brooklyn Nets në krye të Konferencës së Lindjes. Vendasit dominojnë gjatë gjithë takimit, të udhëhequr nga Butler, që shënon 32 pikë dhe Adebayo 20 pikë. I zakonshmi Beal mundohet që të mbajë në lojë Washingtonin, por 30 pikët e tij nuk mjaftojnë për të arritur suksesin.

DENVER NUGGETS – PHILADELPHIA ‘76ERS 89 – 103

Akoma pa ndihmën e Joel Embiid, Philadelphia reagon pas 5 humbje radhazi dhe gjen fitoren në një transfertë të vështirë përballë Denverit. Miqtë krijojnë një avantazh në tre periodat e para dhe në 12 minutat e fundit e administrojnë më së miri, duke fituar 103-89.

Maxey me 22 pikë dhe Seth Curry me 20 janë më të mirët për Philadelphian. Nikola Jokic realizon 30 pikë dhe 10 rebound, por nuk arrin që ti japë fitoren e shumëpritur Denverit të tij.

Ndeshjet e tjera të mbrëmjes në NBA:

MEMPHIS GRIZZLIES – LOS ANGELES CLIPPERS 120 – 108

MINNESOTA TIMBERWOLVES – SAN ANTONIO SPURS 115-90

UTAH JAZZ – TORONTO RAPTORS 119 – 103