Shpërthen Halili: Ka minj kanalesh që ndyjnë futbollin tonë me ato që thonë!

Refik Halili ishte i mërzitur për eliminimin nga Kupa e Shqipërisë, më së shumti prej fjalëve të shumta për një marrëveshje mes Tiranës dhe Dinamos si dhe për mënyrën se si shkoi ndeshja.

Presidenti i bardhebluve gjithsesi i përgëzoi lojtarët e tij dhe trajnerin Shehi, ndërsa më pas u tregua i ashpër me ata që flasin lart e poshtë për tolerime e kompromise.

“Kemi shumë gjëra për të thënë, ju e filloni shumë mirë duke më thënë a më vjen keq apo jo. Ishte një sakrificë dhe një lojë e pastër nga lojtarët. Më vjen keq për çunat, ata më kishin premtuar për një paraqitje të mirë dhe do bënin kthesën.

Këtë gjë e kishim diskutuar që në ditët e para, kur humbëm ndeshjen e parë. Na vjen keq, megjithatë i falënderoj për sakrificën lojtarët, trajnerin, tifozët tanë.

Një pjesë e mirë flisnin që kjo ndeshje ishte e lënë dhe kjo bën që edhe të mos kishte përkrahje nga tifozët.

Këta për mua janë minj kanalesh, të cilët e ndyjnë futbollin me ato që dalin e thonë në çdo intervistë. Duhet të kenë kujdes për flasin. Ata dënojnë futbollin shqiptar, jo vetëm klubin tim”, tha Halili mes të tjerash për mediat. / oversport.tv