Shqipëria dominon dhe triumfon ndaj Ishujve Faroe, kuqezinjtë marrin vendin e dytë

Shqipëria fiton edhe sfidën ndaj Ishujve Faroe dhe ngjitet në vendin e dytë të grupit E. Kuqezinjtë e drejtuar nga Sylvinho fitojnë me rezultatin 3-1 duke dominuar gjatë gjithë kohës takimin, ndërsa vendosën një gol nga Bajrami, një kryevepër nga Kristjan Asllani dhe një gol i Muçit. Me këtë fitore, Shqipëria ngjitet në kuotën e 6 pikëve dhe fal humbjes së Polonisë në Moldavi, kuqezinjtë ngjiten në vendin e dytë, një më pak se Çekia.

Ndeshja nis menjëherë në sulm nga ana e kuqezinjve që gjejnë rrugën e rrjetës që në minutën e parë me anë të Sokol Cikalleshit, por ky i fundit është në pozicion jashtë loje dhe goli anulohet. Shqipëria ka kontrollin e topin që prej fillimit dhe dikton ritmin e takimit. Me kalimin e minutave kuqezinjtë tentojnë fillimisht nga distanca, por Asani dhe Asllani nuk gjejnë dot katërkëndëshin kundërshtar.

Në minutën e 20-të Shqipëria nis një tjetër sulm, ku Asani dhe Bajrami kombinojnë bukur. Asani pason mirë për Bajramin që i vetëm në zonë mposht portierin kundërshtar dhe kalon në avantazh kuqezinjtë, për të finalizuar një start fantastik të ndeshjes.

Edhe pas golit të besuarit e Sylvinho nuk e ulin ritmin dhe vazhdojnë të sulmojnë. Shansi tjetër i artë vjen në minutën e 32-të. Sokol Cikalleshi fiton një penallti dhe e ekzekuton vetë, por goditja e tij ndalet nga portieri kundërshtar. Pas këtij rasti nuk ka aspak vend për t’u demoralizuar, sepse njësoj si që prej minutës së parë, kuqezinjtë vazhdojnë të dominojnë takimin dhe porta e Berishës pothuajse nuk rrezikohet fare. Cikalleshi ka edhe dy mundësi të tjera në fundin e pjesës së parë, por nuk gjen dot kuadratin. Kur pritet që të mbyllet pjesa e parë, Ishujt Faroe gjejnë golin e avantazhit në mundësinë e tyre të parë serioze. Një goditje me kokë nga Faero shkon në rrjete dhe fraksioni i parë mbyllet në barazim 1-1.

Pjesa e dytë nis me dy sulme nga skuadra kundërshtare që nuk finalizohen si duhet. Ndërkohë që Shqipëria e kalon menjëherë këtë moment të sikletshëm dhe hidhet në sulm duke krijuar disa raste të rrezikshme. Nuk vonon shumë dhe kuqezinjtë gjejnë menjëherë golin e avantazhit. Këtë herë vjen një kryevepër nga Kristjan Asllani që me një goditje nga distanca e çon topin në trekëndësh duke e bërë të pavlefshëm fluturimin e portierit kundërshtar.

Provojnë të reagojnë lojtarët e Ishujt Faroe që kanë një mundësi me kokë, por topi shkon ngjitur me shtyllën. Shans i artë edhe për Taulant Seferin që nuk finalizon dot një kundërsulm pothuajse perfekt të kuqezinjve. Seferi ka edhe një tjetër mundësi, por nga distanca nuk gjen kuadratin.

Kuqezinjtë vazhdojnë të qëndrojnë në sulm dhe mundësia e radhës është për Mario Mitajn që bën gjithçka mirë dhe godet. Megjithatë, është portieri që bllokon goditjen e tij. Provon edhe Myrto Uzuni me një goditje qëndrore që ndalet nga portieri.

Minutat e mbetura shohin Shqipërinë që menaxhon në mënyrë perfekte rezultatin dhe madje e thellojnë edhe më shumë atë.  Goli i tretë vjen nga Ernest Muçi pas një kundërsulmi të shkëlqyer të kuqezinjve dhe i vetëm përballë portierit e çon topin në rrjetë. Një fitore e merituar nga kuqezinjtë që marrin tre pikë me vlerë dhe falë humbjes së Polonisë në Moldavi ngjitet në vendin e dytë në kuotën e 6 pikëve, një më pak se Çekia e vendit të parë. /oversport.tv