Shqipëria e “dënuar” ndaj San Marinos, Reja ka ende dilema për formacionin

Shqipëria është gati për tre pikët e radhës. Janë detyrim, duke pasur parasysh se kundër kuqezinjve zbresin në fushën e “Elbasan Arena” modestët e San Marinos. Të besuarit e trajnerit Edy Reja i kanë mundur në ndeshjen e parë dhe sonte prej orës 20:45 do kërkojnë të përsërisin vetveten.

Sigurisht nuk duhet aspak nënvlerësim dhe trajneri Reja e tha diçka të tillë edhe në konferencën e djeshme për shtyp. Italiani ndërkohë ka pasur kohë të mendohet për lojtarët që do të aktivizojë nga fillimi në ndeshjen e sotme.

Reja e ka parë të udhës që t’i besojë mbrojtjen e portës Thomas Strakoshës këtë herë. Kapiteni Berisha do të ulet në stol, kurse në prapavijë nuk priten ndryshime. Tekniku kërkon që të krijojë stabilitet me treshen Ismajli-Gjimshiti-Kumbulla.

Albi Doka e mban sërish vendin e titullarit, ndërsa Elseid Hysaj pritet të zhvendoset në krahun e majtë. E bën te Lazio, e ka bërë edhe te Napoli. Kështu shkodrani mbulon vendin e lënë bosh nga Trashi, i cili është dëmtuar së fundmi.

Edhe Abrashi nuk mund të luajë, prej një dëmtimi muskulor, dhe favorit për të zënë vendin e tij është Qazim Laçi, mesfushori i Ajaccio që bëri një ndeshje të mirë ndaj Hungarisë në monentin që u aktivizua.

Mungon këtë herë Gjasula për shkak pezullimi me kartonë. Reja duhet të zgjedhë një mes Bares dhe Ramadanit, pasi Nedim Bajrami nuk do të preket.

Në sulm Uzuni ka bindur me atë që bëri ndaj Hungarisë dhe krah tij mund të luajë një mes Manajt dhe Brojës. Ky i fundit ishte heroi i Shqipërisë kundër hungarezëve, por Reja ka ende pikëpyetjet e tij për të. / oversport.tv