Shqipëria e mbyll e treta, Anglia dhe Zvicra në Botëror, zhgënjen Italia

Shqipëria i ka mbyllur këto kualifikuese në vendin e tretë, ashtu edhe si pritej me 18 pikë. Kombëtarja jonë nuk zhgënjeu dhe fitoi sfidën ndaj Andorrës me rezultatin e ngushtë 1-0. Edhe pse me shumë mungesa, ekipi i Rejas arriti një fitore pa shumë shkëlqim. Ishte Çekiçi ai që e gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 78 me anë të një 11-metërshi. Ndërkohë, më parë kuqezinjtë iu afruan disa herë golit, ku në pjesën e parë, Odise Roshin e ndali vetëm shtylla.

Ndërkohë, po në të njëjtin grup, Anglia konfirmoi biletën e saj për “Katar 2022” me një goleadë ndaj San Marinos. Tre Luanët shënuan plot 10 herë në portën e modestëve me Harry Kane që shënoi 4 gola personalisht. Ndërkohë në tabelën e shënuesve u regjistruan edhe Harry Maguire, Smith Rowe, Mings, Abraham dhe Saka.

Surpriza e vërtetë ndodhi në grupin C, ku Zvicra u kualifikua në mënyrë direkte për Kupën e Botës. Ata mposhtën Bullgarinë me rezultatin 4-0, ndërkohë që përfituan edhe nga barazimi pa gola e Italisë në Irlandën e Veriut. Për zvicerianët shënuan  Okafor, Vargas, Itten dhe Freuler, ndërkohë që më parë iu anuluan edhe dy gola të tjerë për pozicion jashtë loja.

Italia ndërkohë ka zhgënjyer sërish, kësaj radhe ndaj Irlandës së Veriut që nuk shënoi dot asnjë gol dhe u ndal në barazim në ndeshjen më vendimtare të eliminatoreve. Kështu, ekipi i Mancinit do të provojë të marrë pjesë në “Katar 2022” nëpërmjet “play off”.

Në ndeshjen e mbetur në grupin tonë, Hungaria surprizoi në shtëpi Poloninë duke e mposhtur me rezultatin 2-1. Goli i Swirderski u bë i pavlefshëm për Poloninë pas golave të Schafer dhe Gazdag.

Në ndeshje të tjera, Skocia i shkaktoi humbjen e parë Danimarkës pasi e mposhti me rezultatin 2-0 falë golave të Souttar dhe Adams. Fitore ka gjetur edhe Austria që mposhti me rezultatin 4-1 Moldavinë ndërkohë që Izraeli mposhti modestët e Ishujve Faraoe me rezultatin 3-2.

EUROPEAN QUALIFIERS
SHQIPËRI-ANDORRA 1-0
Shënues:
Çekiçi (pen) 73’

IRLANDA E VERIUT-ITALI 0-0

SAN MARINO-ANGLI 0-10
Shënues:
Maguire 6’, Fabbri (autogol) 15’, Kane (pen) 27’, 32’, 39’, 42’, Smith Rowe 58’, Mings 69’, Abraham 78’, Saka 80’

POLONI-HUNGARI 1-2
Shënues:
Schafer 38’, Gazdag 80’ / Swiderski 62’

ZVICËR-BULLGARI 4-0
Shënues:
Okafor 48’, Vargas 57’, Itten 72’, Freuler 90+1

SKOCI-DANIMARKË 2-0
Shënues:
Souttar 36’, Adams 86’

AUSTRI-MOLDAVI 4-1
Shënues:
Arnautovic 4’ (pen) 55’, Trimmel 22’, Ljubicic 83’ / Nicolaescu 60’

IZRAEL-ISHUJT FARAOE 3-2
Shënues:
Dabbur (pen) 30’, Weissman 58’, Peretz 75’ / Vatnhamar 62’, Olsen 72’