Shqipëria, pas 3 vitesh e gjysmë pa “murin” e mbrojtjes

Berat Gjimshiti, Marash Kumbulla dhe Ardian Ismajli janë themelet e mbrojtjes dhe të formacionit të Shqipërisë. Prej vitesh kanë formuar një nga repartet më të forta dhe me eksperiencën e tyre në Itali kanë ndihmuar në arritjen e rezultateve pozitive.

Sot në mbrëmje nuk do të jetë asnjëri prej tyre. Gjimshiti nuk është grumbulluar për shkak se forma e tij nuk është optimale, Ismajli është i pezulluar për shkak të kartonëve të verdhë, ndërsa Marash Kumbulla u dëmtua ndaj Anglisë dhe u rikthye në Romë.

Hera e fundit kur nuk ka qenë asnjëri prej tyre në fushën e lojës ka qenë sfida e 26 marsit në vitin 2018, miqësorja kundër Norvegjisë e fituar nga këta të fundit me rezultatin 0-1. Trajner në atë kohë ishte Christian Panuçi dhe kishte zbritur në qendër të mbrojtjes, Mavrajn me Ajetin. Gjimshiti ishte në stol.

Nga ajo ditë dhe deri më sot, njëri prej treshes (Gjimshiti, Kumbulla dhe Ismajli) ka qenë në fushën e lojës gjithmonë. Në shumicën e rasteve të tre, disa herë 2 dhe herë të tjera vetëm njëri. Kurrë nuk kanë munguar të tre në 36 ndeshjet e fundit dhe bilanci ka qenë 15 fitore, 5 barazime dhe 16 humbje./Oversport.tv