Shqiptarët e Amerikës nderojnë legjendën Ramazan Rragami. Presidenti Duka: Një emblemë e futbollit!

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA organizoi një ceremoni përkujtimore në shenjë mirënjohjeje me rastin e 1-vjetorin të ndarjes nga jeta të ish-futbollistit të njohur shqiptar, Ramazan Rragamin. Me pjesëmarrjen e shumtë të patriotëve shqiptarë në Nju Jork, familjarëve të Rragamit, kryetarëve të shoqatave shqiptare e më gjerë, të autoriteteve më të larta të Vatrës, ceremonia e nderimit në selinë qendrore të Vatrës e riktheu në mendjen e zemrën e çdo shqiptari legjendën shkodrane.

Më këtë rast, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka përshëndeti organizatorët dhe familjarët përmes një video-mesazhi të shfaqur gjatë ceremonisë, ku vlerësoi Ramazan Rragamin, si një nga figurat më të mëdha të futbollit shqiptar dhe atij shkodran. Presidenti Duka tha se Rragami ia dedikoi të gjithë jetën futbollit, duke mbështetur pa kursim klubin e Vllaznisë dhe duke u kthyer në një personazh me të cilin të gjithë ne shqiptarët krenohemi.

“Më lejoni që në radhë të parë të falënderoj të gjithë anëtarët e shoqatës Vatra në SHBA për frymën shqiptare që mbani ndezur në SHBA dhe në radhë të dytë t’ju falënderoj që sot bëni një aktivitetet enkas për një nga figurat e futbollit shqiptar, Ramazan Rragamin. Zani është një nga figurat më të mëdha të futbollit të luajtur, të trajningut pa të zyrtarit të futbollit, pra një njeri që gjithë jetën e tij ia dedikoi futbollit. Ne padyshim që krenohemi me figura të tilla si Rragami, që ishte emblemë e futbollit shqiptar. Të them se sa i mirë ka qenë në fushën e lojës nuk besoj se e është e tepërt, sepse fakti që ju e organizoni këtë aktivitet apo pjesëmarrja juaj në sallë është dëshmi e gjallë se sa shumë e njihni apo e keni ndjekur dhe e dini shumë mirë se çfarë ka bërë në fushën e lojës. Duke qenë se jam edhe një mik i Zanit dhe familjes së tij, e kam njohur nga afër, mund të them se ka qenë jo vetëm një futbollist dhe trajner i mirë, por ka qenë një shok e mik shumë i mirë, një intelektual i mirë dhe një pasionant i madh i futbollit”, – tha Presidenti i FSHF-së, duke theksuar faktin se ai ishte gjithashtu një familjar e një mik i shkëlqyer, ndërsa mbahet mend edhe si një lojtar shembull i fair-play-t në fushën e lojës.

“Ka qenë një nga figurat që e ka shoqëruar klubin e Vllaznisë edhe në ditë apo periudha të vështira, në vitet ‘90 apo në vitet 2000, ka mbështetur çdo njeri që ka kontribuar sadopak apo ka financuar klubin e Vllaznisë. Dihet që ka një rekordet dhe realisht arsyeja që unë kam qenë tifoz i Vllaznisë ka qenë vetë Ramazan Rragami, sepse më është fiksuar në ndeshjen kundër Besës në finalen e Kupës së Republikës, ku Zan Rragami shënoi 7 gola në 7 penallti. Një gjë që ndodh rrallë dhe pas asaj rekordi i tillë nuk u thye më në Shqipëri, sepse ky rregull ndryshoi. Zani përveç të gjithash, ka qenë një familjar shumë i mirë, me norma të cilat i ka respektuar edhe në fushën e futbollit me fair-play në fushë, kështu që unë mendoj se familja dhe fëmijët e tij, duhet të jenë krenarë, të gjithë ne miqtë e tij duhet të jemi krenarë që e kemi njohur dhe kontributin e tij do ta kujtojmë për sa kohë të jemi gjallë dhe të gjithë brezat që do të vijnë më pas. Është një nga shembujt më të mirë të futbollit shqiptar. Edhe një herë do të dëshiroja të falënderoja organizatorët për këtë aktivitet në nderim të një nga figurat më të shuqara të futbollit shqiptar, Ramazan Rragami”, – tha ndër të tjera Presidenti Duka në video-mesazhin e tij.

Ndërkaq, gjatë ceremonisë shoqata “Vatra” i dha Ramazan Rragami titullin mirënjohje (pas vdekjes) me motivacion: “Për kontributin e jashtëzakonshëm në futbollin shqiptar, për ndihmën e dhënë në themelimin e degës së Vatrës së Ridgewood, për angazhimin dhe kontributin në promovimin e vlerave më të larta kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Titulli iu dorëzua familjarëve të Rragamit, të cilët ishin të pranishëm në këtë ceremoni.