Shqiptarët po spikasin në Serie A, një rekord absolut është 5 gola larg

Serie A ka qenë gjithmonë ëndrra e madhe e futbollistëve shqiptarë dhe në vitet e fundit kuqezinjtë kanë lënë gjurmë në një prej kampionateve më të rëndësishëm të Europës. Ky sezon është një nga më pozitivët për lojtarët e Kombëtares shqiptare përtej Adriatikut.

Në këtë vit ka shpërthyer Nedim Bajrami me skuadrën e Empolit, është duke u rritur Kristian Asllani dhe po konfirmohen të tjerët si Hysaj, Strakosha apo Ismajli. Performancave të shkëlqyera të Berat Gjimshitit po iu shtohen edhe golat e Rei Manajt.

Nëse të mësipërmet duken thjesht opinione, atëherë le të flasim me statistika. Në Serinë A janë shënuar 9 gola që mbajnë firmën e kuqezinjve, 6 Nedim Bajrami, 2 Rei Manaj dhe 1 Elseid Hysaj. Kurrë më parë në 15 vitet e fundit nuk janë shënuar kaq shumë.

Nga sezoni 2007-2008, numri më i lartë i golave të shënuar ka qenë 8 dhe bëhet fjalë për sezonin 2010-2011. Madje interesant është fakti që në atë kohë, golat u shënuan të gjithë nga bomberi Erjon Bogdani me fanellën e Cesena.

Por ky nuk është viti më i mirë i historisë për shqiptarët në Itali. Duhen edhe 5 gola për të arritur rekordin me 14 të tillë, të shënuar në sezonin 2005-2006. Në atë kohë Erjon Bogdani me 11 dhe Igli Tare me 3 e kanë futur në librat e artë të rekordeve.

Por a do ta thyejë Bajrami me Manajn dhe të tjerët këtë rekord? Koha do ta tregojë. Ka edhe një fakt tjetër shumë interesant, që nga sezoni 2000-2001 në Itali ka pasur gjithmonë një gol me firmën e lojtarëve të Kombëtares shqiptare në Serie A, përveç sezonit 2017-2018, ku nuk shënoi askush. / oversport.tv