Shtohet “kolonia” shqiptare në Itali, Kristjan Asllani debuton në Serie A

Në minutën e 83-të të takimit kundër Cagliarit, trajneri i Empolit, Aurelio Andreazzoli hodhi në fushë 19 vjeçarin shqiptar, Kristjan Asllani, që bëri kështu debutimin e tij si profesionist në elitën e futbollit italian.

Mesfushori nga Elbasani kishte luajtur edhe pak minuta në ndeshjen e Kupës së Italisë kundër Vicenzas këtë sezon, por aktivizimi në ndeshjen e djeshme kundër Cagliarit ishte premiera e tij në Serie A, një natë që do të mbahet mend gjatë nga i riu i talentuar.

Kristjan Asllani është formuar në skuadrat e moshave të Empolit dhe ka ngjitur shkallët e karrierës një e nga një, duke arritur të bëhet pjesë e ekipit të parë. Mesfushori, që është pjesë e kombëtares shqiptare U19, synon që të aktivizohet sa më shumë me skuadrën e tij që të tregojë vlerat e tij.

Listës së gjatë të shqiptarëve që luajnë në Serie A, i shtohet edhe emri i Kristjan Asllanit, një mesfushor me një të ardhme premtuese.

Empoli është kthyer në një “tokë të premtuar” për lojtarët kuqezi, sepse përveç Asllanit, në organikën e skuadrës janë edhe Ismajli dhe Bajrami, dy lojtarë tashmë të afirmuar. /Oversport.tv