Shtyhet vendimi për duelin e Brazilit, Verstappen: Nuk do penalizohem

“Përse duhet të rishihja episodin e Brazilit me Hamiltonin? Isha në timon dhe e di shumë mirë se çfarë ndodhi”. Max Verstappen i përgjigjet kështu pyetjes mbi episodin që u verifikua në xhiron e 48-të të garës në Brazil, për të cilën Mercedesi ka apeluar.

“Ishte një betejë e fortë dhe argëtuese, ata fituan sepse ishin më të shpejtë. Janë gjëra që ndodhin kur dy pilotë dhe dy skuadra luftojnë. Unë përqendrohem vetëm për atë që duhet të bëj në pistë”, ka deklaruar në konferencën për shtyp në Losail, piloti holandez i Red Bullit.

Në lidhje me ndonjë penalizim të mundshëm, ka shtuar: “Nuk mendoj për këto gjëra dhe nuk pres ndonjë penalitet, sepse dueli ishte i ndershëm dhe po luftonim për fitoren”.

Ndërkohë që është shtyrë për nesër vendimi për kërkesën e skuadrës Mercedes, për të riparë atë që ndodhi në Brazil. / Oversport.tv